Vjosa Osmani ngushëllon për ndarjen nga jeta të Ramabajës

Vjosa-Osmani-1-scaled

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj më të sinqerta pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit, gazetarët dhe intelektualit të shquar, Rushit Ramabaja.

Me anë të një postimi në Facebook, Presidenca e Kosovës njoftoi se Osmani ka shprehur pikëllim të thellë për humbjen e një figure të njohur të kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rushit Ramabajës, shkrimtar, gazetar dhe intelektual i angazhuar, një emër i veçantë i kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë. Për dekada me radhë, përmes punës së tij në ‘Rilindja’, Radio Kosova dhe përmes një trashëgimie të pasur letrare me mbi 20 vepra, ai i dha zë mendimit kritik, fjalës së lirë dhe shpirtit krijues. Vepra dhe përkushtimi i tij do të jetojnë gjatë në kujtesën kulturore të vendit tonë,” shkruhet në postimin e Presidencës.

Presidentja Osmani i ka dërguar ngushëllime të thella familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit kulturor, duke theksuar se kujtimi për Rushit Ramabajën do të mbetet i përhershëm.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit kulturor. I përhershëm qoftë kujtimi për Rushit Ramabajën!” ka shkruar Osmani.