

Punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe sot do të protestojnë, ndërsa kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave, në mënyrë që të kthehen në punë.
“Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban.
Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së sektorit privat të autobusëve, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë ato sa më shpejt. “Më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport; ata janë duke e vuajtur më së shumti. Sa më shpejt të dalin mjetet, aq më shpejt fillon transporti”, tha ai.
Që një javë, në kryeqytet nuk kanë qarkulluar autobusët e transportit publik, ndaj banorët e Prishtinës janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative.