Trumpi: Izraeli duhet të jetë shumë, shumë i kujdesshëm me “aleatin e madh”, Katarin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Izraeli duhet të jetë “shumë, shumë i kujdesshëm” me mënyrën se si e trajton Katarin.

Në Aeroportin “Morrison” në New Jersey, Trumpi u pyet nga një gazetar nëse kishte ndonjë porosi për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në lidhje me sulmet e Izraelit javën e kaluar kundër krerëve të Hamasit në Katar, të cilat duket se kanë dështuar t’i eliminojnë ata, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Porosia ime është se ata [izraelitët] duhet të jenë shumë, shumë të kujdesshëm. Ata duhet të bëjnë diçka për Hamasin, por Katari ka qenë një aleat i madh i Shteteve të Bashkuara” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Pasi drekoi bashkë të premten me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, presidenti amerikan e quajti atë “person të shkëlqyeshëm” dhe shtoi se i ka thënë atij që Katari ka nevojë për “marrëdhënie më të mira publike”, pasi “njerëzit flasin për të shumë keq dhe ata s’duhet të jenë duke e bërë këtë”.

Kryeministri i Katarit e ka akuzuar Izraelin për “terrorizëm shtetëror” dhe ka thënë se sulmi i javës së kaluar në Doha, në shënjestër të të cilit ishin krerët e Hamasit, ishte “sulm ndaj vetë parimit të ndërmjetësimit”. Megjithatë, ai u zotua për vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e armëpushimit në Gaza.

“Ky sulm mund të përshkruhet vetëm si terrorizëm shtetëror, një qasje e ndjekur nga Qeveria e tanishme ekstremiste izraelite, e cila e shpërfill të drejtën ndërkombëtare” – tha Al-Thani, i cili e mban edhe postin e ministrit të Jashtëm të Katarit.

“Agresioni i pamatur e i pabesë izraelit u krye përderisa shteti i Katarit ishte nikoqir i bisedimeve zyrtare dhe publike, me dijeninë e vetë palës izraelite dhe me qëllim të arritjes së një armëpushimi në Gaza” – shtoi ai.

Sidoqoftë, sipas kryeministrit të Katarit, “praktikat” e Izraelit nuk do t’i ndalin përpjekjet e vendit të tij për ndërmjetësim, bashkë me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës në Gaza./Nacionale

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *