Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, pritet që javën e ardhshme të marrë vendim për pezullimin ose jo të Izraelit, por shumica e anëtarëve të komitetit ekzekutiv të saj merret vesh se janë pro kësaj mase, raporton gazeta e njohur britanike, “The Times”.
Një panel i këshilltarëve në Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje FIFA-s dhe UEFA-s që ta pezullojnë Izraelin, pasi një Komision Hetues i OKB-së konkludoi se Izraeli është duke kryer gjenocid në Gaza, thuhet në artikullin e të përditshmes britanike.
Burimet i kanë thënë gazetës se UEFA do të marrë një vendim javën e ardhshme dhe se një shumicë e madhe e anëtarëve ekzekutivë si dhe federatave të vendeve anëtare janë në favor të pezullimit – duke e përmendur pezullimin e Rusisë nga garat evropiane që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.