Takimi Osmani-Basha, Presidenca jep detaje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Gjatë takimit, kryetari Basha paraqiti qëndrimet e tij lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.

Ndërkaq, Presidentja Osmani e njoftoi atë se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë një analizë të hollësishme për këtë proces.

“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.

Ndryshe edhe Kuvendi njoftoi për takimin përmes një njoftimi zyrtar.

“Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha, ka zhvilluar takim konsultativ dhe njoftues me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani”, thuhet në njoftim.

Basha kishte thirrur për sot në orën 13:00 mbledhjen e kryesisë së legjislativit të ri, ndonëse ky i fundit nuk është konstituuar plotësisht pasi nuk është zgjedhur edhe një anëtar i kryesisë nga radhët e komunitetit serb.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga Basha, pasi sipas tyre ajo është antikushtetuese./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *