Të thuash se myslimanët nuk janë shqiptarë të vërtetë, është budallallëk i pastër dhe injorancë që s’ka as logjikë, as dinjitet. Këta tipa që bëjnë sikur janë “mbrojtës të kombit” duke përbuzur besimin e një pjese të madhe të popullit, në fakt janë përçarës të kombit – të dobët në mendje, bosh në dije dhe plot me urrejtje që ua ka ngulur ndonjë propagandë e huaj.
Po si mund ta quash veten patriot, kur i ndan shqiptarët sipas fesë? A nuk është kjo tamam ajo që kanë dashur gjithmonë armiqtë tanë – që të përçahemi mes vete dhe ta shikojmë njëri-tjetrin me dyshim? Kjo është logjika e atyre që kanë humbur thelbin e kombit dhe mbahen me teori të rreme nëpër komente interneti, pa ditur as historinë, as realitetin.
Islami nuk është “i huaj” për shqiptarët – është pjesë e natyrshme e historisë, traditës dhe identitetit të shumë prej tyre. Të jesh mysliman nuk të bën më pak shqiptar, njësoj siç të jesh ateist apo i një feje tjetër nuk të bën më shumë. Po ta kishin këta “shqiptaromëdhenjtë” kaq shumë dashuri për kombin, do ta kuptonin se armiku nuk është vëllai yt që lutet ndryshe – por injoranca, përbuzja dhe ndarja që ushqen urrejtje brenda një populli.
Këta islamofobë që i bien fesë si të ishte armik, në fakt i bien vetes. Janë aq bosh sa mendojnë se shqiptarizmi është një ngjyrë e vetme, një model i vetëm, një mënyrë e vetme të jetuari. Por realiteti shqiptar është shumëngjyrësh, dhe kjo është forca jonë – jo dobësia.
Në vend që të hapin barkun e kombit me urrejtje fetare, le të shohin se çfarë kanë bërë vetë për këtë komb. Sepse sa për llafe nëpër Facebook, janë kampionë – por për vepra, zero. Shqiptaria nuk ka nevojë për patriotë të rrejshëm me urrejtje në gojë – ka nevojë për bashkim, respekt dhe punë. Dhe kjo është ajo që këta nuk kanë për ta kuptuar kurrë./podujevanews