Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, ka sqaruar arsyen e mospjesëmarrjes së saj në votimin e sotëm në Kuvend.
Ajo tha se vendimi i saj nuk ka të bëjë me motive partiake, por lidhet drejtpërdrejt me postimet e Donika Gërvallës të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, ku kjo e fundit kishte bërë deklarata të ashpra ndaj bashkëshortit të saj, Rexhep Selimit.
“Për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, dëshiroj të bëj këtë sqarim. Kjo mospjesëmarrje është e lidhur me postimet e atëhershme të zonjës Gërvalla, e jo me çështje partiake”, ka shkruar Mehmeti Selimi.
Deputetja falënderoi kolegët, aktivistët dhe votuesit për mirëkuptimin, duke theksuar se vendimi i saj është marrë për të qëndruar konsekuente me parimet e saj politike dhe morale.