Deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ish-krerët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe lidhjen e tyre me procesin në Hagë, kanë nxitur reagime të forta në opinionin publik dhe skenën politike.
Gjatë një interviste televizive të dhënë mbrëmë, Kurti deklaroi se PDK-ja ka “katër ose pesë kryetarë”, duke aluduar se disa prej tyre “shkojnë në Hagë për të marrë instruksione politike”. Ai i lidhi këto komente me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Këto deklarata janë cilësuar si të papërgjegjshme nga opinionisti dhe ish-politikani Dardan Sejdiu, i cili ka kritikuar ashpër Kurtin për qëndrimin e tij ndaj një çështjeje që, sipas tij, ka rëndësi jetike për vendin.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës del në televizor dhe flet për njerëz që janë në Hagë, në një betejë shumë të rëndësishme për shtetin tonë. Për shkak të kokëfortësisë së tij, ai ua rëndon pozitën ligjore,” deklaroi Sejdiu në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Ai shtoi se Kurti po sillet si një figurë jashtë realitetit dhe nuk po tregon përgjegjësi shtetërore në një moment kaq të ndjeshëm për Kosovën.
“Nuk jemi bre duke bërë hajgare me këtë vend! Koncepti që ti del në TV dhe e rëndon dikë që po përballet me drejtësinë ndërkombëtare – për mua kjo është dëshmi që ai nuk po e di as çfarë flet, as çfarë bën,” tha Sejdiu.
Reagimet ndaj Kurtit vijnë në një kohë kur klima politike në vend është e tensionuar, dhe procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon me interes të madh publik.