Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë ka reaguar pas takimit të fundit të mbajtur në degë dhe pas konsultimit me kryetarin e partisë, Bedri Hamza, lidhur me mundësinë e përfshirjes së subjektit Nisma Socialdemokrate në listën zgjedhore të PDK-së.
Sipas reagimit, dega e PDK-së në Malishevë ka sqaruar se kanë përfunduar të gjitha propozimet nga degët, ashtu siç është deklaruar edhe nga kryetari Hamza. Megjithatë, përfaqësuesit e degës në Malishevë theksojnë se kanë qenë dhe mbeten kundër përfshirjes së Nismës Socialdemokrate dhe Fatmir Limajt në listën e PDK-së.
Në komunikatën e tyre, ata theksojnë se një vendim i tillë është veçanërisht i papërshtatshëm në këtë fazë, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhje, si dhe rëndësinë që ky vendim do të kishte për Malishevën.
Në fund, dega e PDK-së në Malishevë ka bërë të qartë se qëndrimi i tyre mbetet i palëkundur dhe se vendimmarrja duhet të respektojë interesin dhe pritshmëritë e anëtarësisë në këtë komunë.