Pse vrapimi në dimër i bën më mirë trupit se vrapimi në verë? Ja çfarë thonë ekspertët

Vrapimi në të ftohtë djeg më shumë kalori, përmirëson humorin dhe e forcon metabolizmin

Kur temperaturat afrohen zeros, mbathja e atleteve, veshja e xhaketës, kapelës dhe dalja për vrapim në mbrëmje për shumicën prej nesh nuk duket aspak ide tërheqëse.

Nëse përjashtojmë vrapuesit pasionantë, të cilët nuk heqin dorë nga aktiviteti i tyre i preferuar as gjatë muajve të dimrit, stërvitja në shtëpi ose në palestër duket padyshim si opsion më i mirë.

Megjithatë, vrapimi në të ftohtë ka disa përfitime të papritura për organizmin tonë. Edhe pse në shikim të parë mund të mos jetë ndjesia më e këndshme, ka disa arsye pse pikërisht dimri mund të jetë momenti ideal për t’i shtuar jogging-un rutinës suaj të fitnesit.

Për më tepër, ekspertët pohojnë se vrapimi në të ftohtë është në fakt më i shëndetshëm për trupin tonë sesa vrapimi në vapë, ndërsa disa nga përfitimet përfshijnë djegie më të madhe të kalorive dhe luftimin e çrregullimit afektiv sezonal.

Vrapimi në të ftohtë mund të përshpejtojë metabolizmin

Edhe pse trupi ynë ngrohet ndërsa vrapojmë, hulumtimet sugjerojnë se ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta mund të nxisë një formë specifike termogjeneze, rritje të metabolizmit që realizohet kryesisht përmes aktivizimit të një indi të veçantë, një lloj yndyre që është përgjegjëse për djegien e kalorive, transmeton Telegrafi.