“Po gënjen” – Sejdiu i përgjigjet Hotit për blerjen e autobusëve urbanë

sh-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka reaguar ndaj ish-ministrit të Financave, Avdullah Hoti, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban në vitin 2017.

Hoti tha se “Dardan Sejdiu, ish-nënkryetar i Prishtinës, në postimin e sotëm lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban në Prishtinë në vitin 2017, po gënjen”.

“Arsyen pse z. Sejdiu po vazhdon me këtë gënjeshtër edhe pas tetë vitesh e di vetëm ai. Atëherë, ai dhe partia e tij e bënë kauzë politike këtë çështje për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë”.

E Sejdiu ka theksuar se në postimin e tij të mëparshëm nuk kishte përmendur emrin e Hotit, duke supozuar se përvoja institucionale e tij do ta kishte kuptuar se problemi aktual nuk lidhet me vitin 2017, por me qeverinë aktuale që po e përdor Prishtinën si peng politik dhe po tenton të miratojë një buxhet pa mandat dhe pa legjitimitet.

“Zotëria jo vetëm që ka zgjedhur me gënjy për të kaluarën, por po e përdor këtë gënjeshtër për t’i shërbyer narrativës së pushtetit aktual. Në vend se të flasë për krizën e transportit publik sot, ai ka vendosur të merret me mua dhe me vitin 2017,” ka shkruar Sejdiu.

Ai ka rikujtuar se gjatë viteve 2015–2017, autobuset ishin të bllokuar për dy vjet rresht në ministrinë e Hotit, me dokumente dhe mjete të gatshme, por pa vullnetin e ministrit për t’i nënshkruar, dhe se bllokada u thye vetëm pas protestave të qytetarëve.

Sejdiu ka akuzuar qeverinë aktuale për shfrytëzim të krizës së transportit publik për të krijuar panik dhe për të justifikuar një buxhet të paligjshëm, duke e konsideruar këtë strategji politike dhe jo paaftësi.

Ai ka përfunduar duke theksuar se qëllimi i tij është të flasë për situatën aktuale të Prishtinës në vitin 2025, dhe se dallimi është i qartë: “Koha ka treguar kush e ka qytetin prioritet dhe kush vazhdon të jetë peng i së kaluarës së vet.”/Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *