Ka spekulime të konsiderueshme se Irani mund të hakmerret për sulmet e SHBA-së në objektet e tij bërthamore duke mbyllur kanalin më të ngarkuar të transportit të naftës në botë, Ngushticën e Hormuzit.
Rreth 20% e naftës dhe gazit global rrjedh përmes kësaj korsie të ngushtë transporti në Gjirin Persik. Bllokimi i saj do të kishte pasoja të thella për ekonominë globale, duke prishur tregtinë ndërkombëtare dhe duke rritur çmimet e naftës, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu mund të rriste koston e mallrave dhe shërbimeve në të gjithë botën dhe të godiste disa nga ekonomitë më të mëdha në botë, duke përfshirë Kinën, Indinë dhe Japoninë, të cilat janë ndër importueset kryesore të naftës bruto që kalojnë nëpër ngushticë.
Çfarë është Ngushtica e Hormuzit – dhe ku ndodhet?
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit në botë dhe pika më e rëndësishme e tranzitit të naftës.
I kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), korridori – i cili është vetëm rreth 50 km i gjerë në hyrje dhe dalje, dhe rreth 33 kilometra i gjerë në pikën e tij më të ngushtë – lidh Gjirin me Detin Arabik.
Ngushtësia është mjaftueshëm e thellë për anijet cisternë më të mëdha të naftës bruto në botë dhe përdoret nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme – dhe klientët e tyre.
Në gjysmën e parë të vitit 2023, rreth 20 milionë fuçi naftë kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë, sipas vlerësimeve nga Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA) – kjo është gati 600 miliardë dollarë vlerë tregtie energjie në vit.