Nga 1.15€ në 1.35€ për Litër – Kush po e “Fryen” Çmimin e Naftës në Podujevë?

Ndërsa qytetarëve po u servohet si arsye situata e tensionuar në Lindjen e Mesme, shifrat zyrtare tregojnë një realitet krejt tjetër. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të bëra publike nga Adriatik Stavileci në emisionin “Ekonomiks”, çmimi i importit të derivateve është rritur vetëm rreth 1.5 cent për litër.

Por në Podujevë situata në terren flet ndryshe.

Disa pompa që para fillimit të krizës e kishin çmimin e naftës 1.15€, sot e shesin atë 1.35€ për litër. Pra një rritje prej 20 centësh.

Nëse importi është rritur vetëm 0.015€, atëherë si arsyetohet rritja prej 0.20€? Ku po krijohet diferenca? Kush po përfiton nga kjo situatë?

Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse kemi të bëjmë me rritje reale të kostos apo me shfrytëzim të frikës dhe krizës globale për të rritur fitimin.

Podujeva nuk meriton çmime të fryra me arsyetime të paqarta. Në kohë krize, transparenca është minimumi që duhet t’u ofrohet konsumatorëve. Sepse kur shifrat nuk përputhen, dyshimet rriten.