Myftiu i Kosovës reagon pas vendimit të Gjykatës Speciale: “Vendim i padrejtë, i ndikuar politikisht”

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila hodhi poshtë mocionin për heqjen e një pjese të aktakuzës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Myftiu e cilësoi këtë vendim si një tjetër padrejtësi ndaj çlirimtarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, po mbahen padrejtësisht në burg me akuza të sajuara dhe të pabazuara.

“Gjykata kishte rastin të fillonte vendosjen e drejtësisë, por për fat të keq mori një vendim të padrejtë, të ndikuar politikisht,” deklaroi ai.

Naim Tërnava shprehu bindjen se drejtësia do të triumfojë dhe se të akuzuarit do të kthehen të pafajshëm në vendin e tyre.

“Ne besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve tanë dhe mbetemi me shpresë e besim se drejtësia do të triumfojë. Mbetemi me shpresë se më në fund, Gjykata do të gjykojë mbi fakte, prova dhe argumente – e jo mbi sajesa dhe hamendësime,” përfundoi reagimin e tij Myftiu i Kosovës.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur vendimet e Gjykatës Speciale po shkaktojnë reagime të forta nga qytetarë, figura publike dhe institucione të ndryshme në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *