Mustafa mbështet protestën e veteranëve të UÇK-së: Sikur ta kisha shëndetin do të isha edhe unë në shesh

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar se është detyrë e të gjithëve që të mbrojnë vlerat e luftës dhe të “mos lejohet rishkrimi i historisë” me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb, i cili ka ushtruar dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë.

Shteti i Kosovës, siç ka thënë ai, është rezultat i resiztencës politike të drejtuar nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe lufta e UÇK-së.

“Është vlerë e përbashkët. Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe” – ka shkruar Mustafa mes tjerash, më 06.08.2025, një ditë para organizimit të protestës së thirrur nga veteranët e UÇK-së.

Ish-kryeministri kosovar ka shkruar se Gjykata është themeluar me bindjen se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime.

Ai shkruan se askujt nuk i ka shkuar në mendje se në vend të kësaj, bartësit e luftës do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale.

“Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale.” – ka shkruar tutje Mustafa.

Për këtë arsye, veteranët e luftës, sipas tij, meritojnë përkrahje dhe solidarizim për një kauzë të drejtë.

“Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh” – ka përfunduar Mustafa.

Ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Presidentja Vjosa Osmani ka folur më 05.08.2025 në lidhje me raportimet se Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar prova nga shteti i Serbisë në lidhje me gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ajo ka thënë se është shqetësuese që cilado gjykatë e themeluar nga Kosova të pranojë prova nga shteti i Serbisë.

“Historikisht është dëshmuar që provat e Serbisë janë të falsifikuara për të ndryshuar historinë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë për të mbrojtur popullin nga forcat e Millosheviqit, e mbetjet e tij janë ende në Serbi. Duhet të gjithë ne t’i bashkojmë forcat në mbrojtje të luftës së drejtë dhe çlirimtare të Kosovës. Përmes Ministrisë së Drejtësisë është shprehur shqetësimi për këto prova” – ka deklaruar Osmani në konferencë për media.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, më 31.07.2025 kishte deklaruar se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumentet e dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë.

Përmes një reagimi në Facebook, ajo e kishte cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe fyes për viktimat e luftës në Kosovë.

“Me shqetësim kemi marrë lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën ‘Komandë për Kosovën dhe Metohinë’,” – ka shkruar Haxhiu.

Më 07.08.2025 veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestojnë kundër procesit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *