Mitrovicasi bën “llom” tre policë brenda stacionit policor

Një person nga Mitrovica ka sulmuar fizikisht dhe ka rrahur tre zyrtarë policorë brenda stacionit policor, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti ka ndodhur dje rreth orës 04:00 të mëngjesit, pasi i dyshuari ishte arrestuar nga njësitet policore, teksa gjatë kontrollit në veturën e tij i ishte gjetur një thikë. Pas shoqërimit në Stacionin Policor Mitrovicë Jug, situata ka eskaluar, ku i dyshuari ka sulmuar fizikisht tre zyrtarë policorë.

Si pasojë e sulmit, tre policët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore raportohet të jetë stabile.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.