Meghan, Andrew dhe vdekja e mbretëreshës Elizabeth II: Historia e plotë

Dy biografi shumë të pritura të mbretëreshës së ndjerë janë të hulumtuara me përpikëri dhe të mbushura me zbulime …

Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Elizabeth II do të bëhej 100 vjeçe më 21 prill. Dy biografi të reja madhore nga vëzhgues me përvojë të familjes mbretërore, po e shënojnë këtë përvjetor. Secila është autoritative, por, megjithëse të gjitha (ose pothuajse të gjitha) faktet janë të njëjta, secila ofron këndvështrime të ndryshme. Të dyja arrijnë në përfundimin se mbretëresha e ndjerë ishte një grua e madhe: për Hugo Vickersin në Mbretëresha Elizabeta II: Një histori personale [Queen Elizabeth II: A Personal History, e vlerësuar me pesë yje] mbretërimi i saj ishte më madhështori, ndërsa për Robert Hardmanin në Mbretëresha Elizabeta II: Privatja. Publikja. Historia e brendshme [Queen Elizabeth II: The Private. The Public. The Inside Story, e vlerësuar me pesë yje] ishte një nga më të mëdhatë.

Siç tha vetë mbretëresha Elizabeth, kur u përgëzua për faktin se kishte sunduar më gjatë se Victoria, “Nuk është garë”; por, objektivisht, ajo lë shumë pas paraardhësen e saj histerike. Nga vdekja e princit Albert në vitin 1861 deri te Jubileu i Artë i vitit 1887, Victoria u zhduk nga jeta publike. Elizabeth II ndërtoi një legjendë mbi përkushtimin e pandërprerë dhe pa ankesa ndaj detyrës.

Rivalja e saj e vetme është mbajtësja e emrit të saj nga dinastia Tudor. Mbretërimi i saj ishte një çerek shekulli më i shkurtër, por kërkoi shumë veprime ekzekutive. Nëse Elizabeth II nuk e la, si e para, vendin e saj më të madh sesa e gjeti, si monarke kushtetuese mund të fajësonte vetëm politikanët e saj. Fakti që ajo e nisi me Winston Churchillin dhe e përfundoi me Boris Johnsonin dhe (për dy ditë) Liz Trussin, tregon gjithçka që duhet ditur për rënien e klasës politike në 70 vjet pas vitit 1952.

Kryeministrat nën mbretëreshën Elizabeth II:

1951-1955: Winston Churchill
1955-1957: Anthony Eden
1957-1963: Harold Macmillan
1963-1964: Alec Douglas-Home
1964-1970: Harold Wilson
1970-1974: Edward Heath
1974-1976: Harold Wilson
1976-1979: James Callaghan
1979-1990: Margaret Thatcher
1990-1997: John Major
1997-2007: Tony Blair
2007-2010: Gordon Brown
2010-2016: David Cameron
2016-2019: Theresa May
2019-2022: Boris Johnson
2022: Liz Truss

Libri i Vickersit është më i gjatë se ai i Hardmanit, jo më pak për faktin se njohuria e tij për mbretërinë dhe aristokracinë – jo vetëm tonën, por edhe të pjesës tjetër të Evropës – është enciklopedike. Hardmani ka qenë pjesë e trupës së gazetarëve që mbuluan familjen mbretërore për 30 vjet dhe ka fituar besimin e familjes Mountbatten-Windsor për ndershmërinë dhe drejtësinë e tij. Vickersi, më shumë sesa Hardmani, hyn në detajet për vitet e hershme dhe gjatë gjithë librit sjell ngjyra dhe anekdota nga breza oborrtarësh dhe miq të familjes mbretërore.

Hardmani ka lidhje më të thella me oborrin bashkëkohor dhe rrëfen detaje të anëtarëve aktualë të familjes – ai përmend, për shembull, një bisedë të fundit me princeshën mbretërore [Princess Royal] – për të cilat Vickersi ose nuk ishte në dijeni, ose kishte shumë takt dhe ndjeshmëri ndaj familjes apo ndaj kujtimit për mbretëreshën së ndjerë, për t’i shprehur. Ka vetëm një çështje për të cilën duket se nuk bien dakord: Vickersi thotë se princi Philip vdiq përpara se mbretëresha të mund të arrinte pranë shtratit të tij; Hardmani thotë se ajo ishte e pranishme. Përndryshe, të dy ata e tregojnë historinë qartë dhe me besnikëri.

Mbretëresha Elizabeth II dhe princi Philip (foto e vitit 2020)Chris Jackson/Getty Images

Vickersi e quan biografinë e tij një “histori personale”. Lidhja e tij e thellë emocionale me Elizabethan II dhe me disa anëtarë të familjes së saj shfaqet plotësisht: më së shumti në një shtesë përmbyllëse ku ai shpreh ndjenjën e zbrazëtisë pas vdekjes së sovranes së tij, jetën publike të së cilës ai e kishte ndjekur me përkushtim që nga fëmijëria – në vitet e hershme të mbretërimit të saj – dhe të cilën e kishte takuar në shumë raste. Ai njihte gjithashtu princin Philip (nervozizmi i tij në vitet e vona theksohet në të dy librat) dhe ishte i afërt me anëtarë të tjerë të familjes, kështu që kuptimi i tij për mbretëreshën ka shumë dimensione.

Këta libra nuk janë thjesht biografi të një gruaje, jeta e së cilës ishte e mbushur me rëndësi historike pothuajse që nga lindja e saj në vitin 1926 e deri në vdekjen e saj në shtator 2022. Libri i Vickersit, në veçanti, është gjithashtu një histori e familjes së saj gjatë asaj periudhe – sepse veprimet e tyre patën ndikim kaq të thellë mbi të – dhe, për shkak të funksionit kushtetues të monarkut trajton edhe politikën bazike të asaj kohe.

Jeta e Princeshës të Jorkut, Elizabeth, pëson disa ndryshime të mëdha. I pari ndodhi kur xhaxhai i saj abdikoi në vitin 1936 dhe, pasi babai i saj e pasoi atë si mbret, ajo u bë trashëgimtare e supozuar. I dyti ishte martesa e saj me Philip Mountbattenin në vitin 1947, dhe lindja e një trashëgimtari tjetër – mbretit të tanishëm – brenda një viti. I treti ishte ngjitja e saj në fron në vitin 1952 pas përkeqësimit të shëndetit të babait të saj në moshën 56-vjeçare.

Princesha Elizabeth me princeshën Margaret gjatë ushtrimeve për kurorëzimin e babait të tyre në vitin 1937Ward/Fox Photos/Hulton Archive/Getty Images

Princesha Elizabeth dhe burri i saj Philip, pas martesës së tyre në vitin 1947Bentley Archive/Popperfoto

Pikërisht në këtë moment mbretëresha e ndjerë bëhet qendra e asaj që bashkëshorti i saj e quante Firma [The Firm]: një varg ngjarjesh të treguara shpesh gabimisht në serialin Kurora [The Crown], ndaj të cilit të dy autorët (veçanërisht Vickers) kanë përçmim të arsyeshëm. Dinastia Mountbatten-Windsor (mbiemri i dhënë të gjithë pasardhësve të Elizabethas II dhe princit Philip) përfundojnë duke qenë shumë të ngjashëm me çdo familje tjetër: martesa, divorce, lindje, vdekje, suksese, dështime. Përshtypja që del si nga Vickersi ashtu edhe nga Hardmani është ajo e një grupi njerëzish të bllokuar në një jetë që nuk e zgjodhën dhe që, nga një ndjenjë detyre e rrënjosur pa mëshirë, përpiqen të bëjnë më të mirën prej saj.

Në fund, dikush do të rebelohet: princi Harry, Duka i Sukeksit, i cili thjesht nuk mund ta përballojë më. Por, të tjerët kanë pasur problemet e veta dekada më parë. Princesha Margaret, motra e dashur e mbretëreshës, ndalohet të martohet me njeriun që dashuronte (një oficer oborri i divorcuar) për shkak të vështirësive që kjo do të shkaktonte me Kishën e Anglisë. Dyzet vjet më vonë, vajza e mbretëreshës, vetë e divorcuar, u martua me një oficer oborri pa u shqetësuar kush.

Respekti i mbetur e mban institucionin deri në vitet ’80 të shekullit XX, kur ai goditet nga obsesioni i mediave me Diana Spencerin dhe nga vendimi i saj – teksa martesa e saj po dështonte – për ta shfrytëzuar atë. Nga mesi i viteve ‘80 e deri në fund të shekullit XX, duket se asgjë nuk shkon mirë. Asnjë nga autorët nuk ndalet gjatë te fakti se një pjesë e mosfunksionimit të kësaj familjeje – tre nga katër fëmijët shkurorëzohen – vjen nga dështimet si prindër apo nga përpjekja për të ruajtur standardet viktoriane të sjelljes disa dekada pasi ajo mbretëreshë kishte vdekur. (Ndoshta kjo pyetje duhet të presë biografinë zyrtare, kurdo që të dalë. Autori i saj do të ketë qasje më të gjerë në dokumente private dhe, me sa duket, në kujtimet e familjarëve dhe miqve që nuk kanë folur ose nuk janë ndier të aftë të flasin për gjithçka, qoftë edhe në mënyrë anonime, me Vickersin apo Hardmanin.)

Mbretëresha Elizabeth dhe Diana, Princesha e Uellsit, në Pallatin Bakingem pas martesës së saj me princin e atëhershëm Charles (1981)Wally McNamee/CORBIS/Corbis via Getty Images

Megjithatë, detajet e të dy këtyre librave, për një grua shumë publike që, në të njëjtën kohë, ishte shumë private, janë aq të jashtëzakonshme saqë shumica nga ato që do t’i mbeten biografit zyrtar do të jenë me sa duket çështje shtetërore që deri tani janë konfidenciale. Hardmani sjell disa zbulime interesante për fundin e kryeministrisë së Johnsonit, duke thënë se sekretari privat i mbretëreshës e këshilloi atë të mos fliste me Johnsonin ndërsa kolegët e tij filluan të jepnin dorëheqje masive – në mënyrë që ai të mos e manipulonte për t’u pajtuar për një shpërndarje krejtësisht të panevojshme të Parlamentit. Në fakt, mua më është thënë në atë kohë, nga një person i informuar, se nga Pallati u dërgua fjala në Kryeministri [Downing Street] se, nëse Johnsoni po mendonte të kërkonte shpërndarje, duhej ta harronte këtë – dhe mbretëresha ishte plotësisht brenda të drejtave të saj prerogative për ta bërë këtë.

Boris Johnson dhe Elizabeth IIVictoria Jones/WPA Pool/Getty Images

Të dy autorët trajtojnë tmerrin e vdekjes së Dianas, Princeshës së Uellsit, dhe pasojat e saj me një ndjenjë perspektive, ndërsa theksojnë me të drejtë rëndësinë që mbretëresha i kushtoi kujdesit për nipërit e saj të mbetur jetimë nga nëna. Nuk zbulohet historia e plotë e sjelljes së turpshme të disa pjesëve të shtypit në ato ditë, por ndoshta edhe kjo do të ndodhë në biografinë zyrtare; sigurisht që ajo kontribuoi në vënien në rrezik të reputacionit të mbretëreshës Elizabeth më shumë se çdo gjë tjetër gjatë mbretërimit të saj.

Dhe, të dy librat trajtojnë problemet që mbretëresha pati me princin Harry dhe bashkëshorten e tij, duke e bërë të qartë se çdo problem që Meghan Markle kishte me familjen dhe oborrin mbretëror nuk kishte të bënte me racizmin, por me personalitetin e saj të përqendruar te vetja. Vickersi thotë se qëndrimi i mbretëreshës ndaj dasmës së tyre ishte: “Vazhdoni tutje. Nuk ka të bëjë me mua”, pasi ishte shpërfillur këshilla e saj që Harry të priste një vit. Mbreti aktual thuhet se mendonte se Meghan ishte dikush me të cilën Harry mund të “argëtohej”, por jo të martohej. Meghan, sipas Vickersit, i tregoi shpejt tiparet e saj duke lejuar që makinat të parkoheshin në një fushë sportive pranë Frogmorit, sepse ajo mund t’i shihte ato.

Pasi Harry hoqi dorë nga detyrat mbretërore, mbretëresha raportohet të ketë thënë: “Dhe, tani Harry është tërhequr, për çfarë? Për të qenë kujdestar i Archiet”. Vickersi thotë se “shqetësimi që suseksët i shkaktuan nuk mund të mbivlerësohet”. Sipas tij, situata ishte aq e keqe saqë ajo këmbënguli që një zonjë të ishte në dhomë me të sa herë që merrte telefonatë nga Harry.

Meghan Markle dhe mbretëresha Elizabeth IIMark Cuthbert/UK Press via Getty Images

Hardmani trajton mirë debatin absurd për diademën që Meghan do të mbante në dasmë, duke sugjeruar se suseksët kishin frikë se do të “anuloheshin” për diçka që i afrohej plaçkitjes koloniale. Mbretëresha udhëzoi garderobieren e saj të injoronte telefonatat e Harryt për këtë çështje. Ajo gjithashtu “nuk ishte aspak e kënaqur”, sipas një ndihmësi të afërt, që nofka e saj familjare, Lilibet, u zgjodh nga suseksët për vajzën e tyre.

Por, Hardmani, në veçanti, e bën të qartë se Meghan nuk është në të njëjtin nivel, kur bëhet fjalë për problematikë, me personin dikur të njohur si princi Andrew, budallallëku, arroganca dhe ndjenja e privilegjit të të cilit e bënë gjerësisht të urryer nga stafi i Pallatit shumë përpara skandalit Epstein. Në një moment ai mendoi se ishte e pranueshme të “trajtonte me forcë” një zyrtar të lartë që nuk mund të bënte siç i kërkonte Andrew.

Mbretëresha, e cila bëri shumë pak për ta frenuar djalin e saj të pamend, u sigurua që zyrtari të merrte një nderim të lartë. Hardmani pretendon se ajo donte që Andrew të largohej nga Lozha Mbretërore; por, gjithashtu se princi William e telefonoi Andrewin për të kontrolluar gjendjen e tij psikologjike pasi ai humbi titujt e tij.

Mbretëresha me birin e saj Andrew Mountbatten-Windsor (foto e vitit 2019)Mark Cuthbert/UK Press via Getty Images

Autorët e trajtojnë me ndjeshmëri vdekjen, fillimisht të Dukës së Edinburgut në prill 2021, i cili i kaloi muajt e fundit në Norfolk, i vizituar nga mbretëresha, por edhe nga partnerja e tij në drejtimin e karrocës, Lejdi Romsey. Duka kishte qenë pranë vdekjes dy herë gjatë një operacioni në zemër një javë para se të transmetohej intervista e suseksëve me Oprah Winfreyn, dhe do të jetonte më pak se edhe një muaj. Vickersi thotë se ai u largua me mbështetësen e tij për ecje për të pirë një gotë birrë dhe për të bërë banjë, dhe vdiq pak më vonë, duke e bërë mbretëreshën “jashtëzakonisht të zemëruar që, si shpeshherë në jetë, ai u largua pa thënë lamtumirë”.

Ajo do ta mbijetonte atë për më pak se 18 muaj. Vickersi thotë se shtrati i saj u soll nga Uindzori në Balmoral disa javë para vdekjes së saj në shtator 2022: “Ndihem sikur jam në sallën e nisjeve”, tha ajo. Për çështjen e vdekjes, ajo i tha një shoqeje të saj të moshuar: “Të paktën nuk duhet ta bësh aq publikisht sa unë”.

Mbretëresha Elizabeth me birin e saj, princin e dikurshëm CharlesMax Mumby/Indigo

Fundi erdhi dy ditë pasi priti Liz Trussin si kryeministren e saj të fundit: për të gjetur forcën për të kryer këto detyra kushtetuese, mori “një nxitje të fuqishme” nga mjekët e saj, me sa duket në formën e barnave. Hardmani lë të kuptohet se ajo pati një lloj kolapsi nervor në fillim të mbretërimit të saj dhe ndoshta vuante nga përdhesi në vitet e mëvonshme. Përndryshe, ajo gëzonte shëndet jashtëzakonisht të mirë.

Ndonëse mbretëresha përshkruhet shpesh si grua që nuk qeshte – mbase për shkak të ndjenjës së saj të madhe të përgjegjësisë – ajo ishte mjaft shpesh e argëtuar dhe argëtuese, siç tregojnë të dy autorët. Megjithatë, asnjëri nuk përmend atë që mund të ketë qenë ndoshta shakaja më e mirë e madhërisë së saj të ndjerë, e shfaqur në një dokumentar televiziv për të më shumë se një dekadë më parë. Në një banket gjatë vizitës shtetërore të presidentit irlandez, ajo u detyrua të mirëpriste Martin McGuinnessin, organizata e të cilit kishte bërë shumë përpjekje për ta vrarë. “Si jeni”? – e pyeti ai me një ton miqësor. “Jam ende gjallë”, u përgjigj mbretëresha, ftohtë. Legjenda e saj vetëm do të vazhdojë të rritet. /Telegrafi/