Në komunën e Zubin Potokut, në veri të vendit, gjatë periudhës 22–25 nëntor 2025, është raportuar se persona të panjohur kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër–Lepencit (bajpas-in) duke përdorur mjete të forta.
Rasti po hetohet nga Policia e Kosovës, ndërsa autorët mbeten të panjohur, njofton Mitropol.
Ky incident ka rikthyer kujtimet e ngjarjes së rëndë të 29 nëntorit 2024, kur në fshatin Varagë të së njëjtës komunë ndodhi një shpërthim i fuqishëm në këtë kanal, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke ngjallur reagime nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Sulmi i atëhershëm rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike, por pavarësisht dëmeve, kanali u riparua brenda një muaji.
Për rastin e shpërthimit të vitit 2024 disa persona u morën në pyetje, ndërsa dy të dyshuar – Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq – vazhdojnë të mbahen në paraburgim. Hetimet për motivet dhe autorët e atij akti të dhunshëm ende janë në zhvillim.
Rasti i ri në Zubin Potok shton shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës kritike, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të përfshirë./Mitropol/