Kosova mes ankesës së përditshme dhe mungesës së përgjegjësisë

Në Kosovë secili osht i mllefshëm. Në kafe, në rrjete sociale, në komente, në oda. Krejt po ankohen: për politikë, për çmime, për rroga, për padrejtësi. Ama çuditërisht, kur vjen puna me ndryshu diçka – krejt zhduken.

Na u rrit çmimi i rrymës, po vazhdojmë me lanë dritat ndezë kot. Na u rrit çmimi i bukës, po hala e hudhim gjysmën. Na u rrit çmimi i naftës, po secili po do me vozitë vet, edhe për 300 metra rrugë.

Krejt po ankohen për politikanët, po kur vjen dita e votimit, ose s’dalin hiç, ose shesin votën për një premtim bosh e një drekë falas. Pastaj çuditen pse nuk ndryshon kurgjo.

Na po i shajmë korrupsionin, po kur na vjen radha neve me “një mik” a “një lidhje”, e harrojmë moralin për dy minuta punë. Problemi s’osht veç te shteti – problemi osht që shteti jemi na.

Krejt po dojmë Evropë, po mentaliteti na ka mbet në radhë për favor. Po dojmë rroga gjermane, po disiplinë nuk po duam. Po dojmë drejtësi, po vetëm kur na konvenon.

Deri sa ta kuptojmë që ndryshimi s’vjen prej statusit në Facebook, po prej sjelljes tonë përditë – kjo shoqni ka me vazhdu me u sill rreth vetes, tu u anku pa pushim.

Pyetja s’osht “pse po shkon vendi keq?”.

Pyetja osht: a jemi gati me u ndal njëherë e me e pa veten në pasqyrë?