Komandant Remi reagon pas ndarjes së Lladrovcit nga PDK: “Sot partinë po e udhëheqin ish-asistentët që s’kanë kurriz”

Ish-komandanti i UÇK-së dhe një nga figurat themeluese të PDK-së, Rrustem Mustafa – Remi, ka reaguar pas largimit të Ramiz Lladrovcit nga gara për kryetar të Drenasit në emër të PDK-së dhe themelimit të subjektit të ri “Për Drenasin Kampion”.

Përmes një postimi të fuqishëm në rrjete sociale, Remi ka shprehur mbështetje për Lladrovcin dhe ka kritikuar ashpër mënyrën se si po menaxhohet Partia Demokratike e Kosovës në ditët e sotme.

“Urime Ramiz Lladrovci! Ke ditur të përmbahesh me dinjitet dhe ndershmëri, kur shumë të tjerë janë nxituar në veprime që kanë lënduar më shumë se ndihmuar,” ka shkruar ai.

Mustafa thotë se në PDK po dominojnë “servilët dhe të paaftët”, që sipas tij, kanë marrë drejtimin e partisë pa patur as përvojë dhe as integritet:

“Shumë nga ata që sot sillen si udhëheqës, deri dje ishin mbajtës qantash e ndihmës në hije.”

Ai e cilëson këtë zhvillim si të rrezikshëm për të ardhmen e partisë:

“PDK nuk ka nevojë për lojëra të vogla në kurriz të idealistëve. Ajo është projekt politik i nisur me mund, punë dhe sakrificë – jo strehë për karrieristë.”

Ndër të tjera, Remi përmend edhe mungesën e drejtësisë ndaj figurave që mbahen ende në Hagë, duke aluduar në ish-krerët e UÇK-së, përderisa “shefat e vërtetë”, siç thotë ai, nuk po respektohen, ndërsa partinë po e udhëheqin “bindjet pa kurriz”.

Reagimi i tij shihet si mbështetje e hapur ndaj Lladrovcit dhe një kritikë serioze ndaj udhëheqjes aktuale të PDK-së, në një kohë kur përçarjet brenda partisë po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *