
Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur pasditen e së dielës, më 28.12.2025, rreth orës 17:20, në fshatin Greme të komunës së Ferizajt.
Ngjarja ka ndodhur pasi një veturë transportuese tip pickup, me ngjyrë të kuqe dhe me targa vendore, ka dalë jashtë rrugës dhe është vetaksidentuar.
Sipas të dhënave që ka siguruar Sinjali, i dyshuari për aksidentin është Besnik Uka, ndërsa viktima që ka humbur jetën si pasojë e aksidentit është Djellza Kosumi, e cila dyshohet se ishte pasagjere në automjet.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i trafikut rrugor, së bashku me hetuesin e rastit. Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, çka ka bërë që drejtuesi i automjetit të humbë kontrollin dhe të dalë jashtë rrugës.
Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.