Policia e Kosovës e ka konfirmuar kërcënimin me bombë në Kuvendit e Kosovës.
Përmes një reagimi, policia ka treguar se kërcënimi ka ardhur në orët e mëngjesit përmes një mesazhi telefonik.
Me të marrë lajmin, policia ka treguar se i ka marrë të gjitha veprimet e mundshme.
“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më tej, policia ka treguar në lidhje me rastin ka njoftuar edhe prokurorinë.
“Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, është thënë në njoftimin e Policisë.
Deputetët e shqetësuar pas evakuimit
Pas marres së njoftimit për kërcenim, policia menjëherë ka evakuuar deputetët nga salla e Kuvendit, të cilët ishin mbledhur për të bërë përpjekën e 42-të për konstituimin e Kuvendit.
Derisa largoheshin nga ndërtesa, deputetët kanë shprehur shqetësimin e tyre.
“Policia për shkak të masave të sigurisë duhet të evakohet stafi. Kanë një kërcenim, por me tutje jep policia sqarime. Krejt çka na kërkuan është me e liru ndërtesën e Kuvendit”, ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Kërcënimi është komentuar edhe nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se Kuvendit ka një sistem të brishtë të sigurisë dhe gjithçka mund të ndodhë.
Ajo ka treguar se kjo nuk është hera e parë që Kuvendit tentohet të sulmohet.
“Aq sa morët ju informacion, mora edhe unë. Na thane dilni se ka diçka dhe dolëm. Duke e njoftë saktë sistemin e sigurisë në Kuvend për të cilin unë e kam ngritur shqetësimin shumë herë, jo vetëm në këtë mandat, gjithçka mund të ndodh. Nuk është hera e parë që Kuvendi sulmohet, ju e dini që është sulmuar me zollë. Prandaj gjithçka mund të këtë”, ka thënë Musliu.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, është shprehur e shqetësuar.
Ajo ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të zbardh rastin.
“Është në dorën e policisë me zbulu rastin edhe nga ka ardhur ajo telefonatë. Sepse nëse angazhohen, do të gjejnë se kush ka bërë këtë informatë,” ka thënë Kadrijaj.
Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka dhënë më shumë detaje.
“Duhet autoritetet kompetente me vlerësu, sidomos ato të sigurisë, kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu. Të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi. Me sa e di unë vetëm përmes telefonatës, të tjerat nuk i kemi të qarta”, ka thënë ai.