Jemi në prag të një recesioni global, por s’është Irani ai për të cilin duhet të shqetësohemi

Një kolaps i ngjashëm me atë të vitit 2008 është në horizont, ndonëse rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimit dhe energjisë nuk është shkaku kryesor.

Nga: Liam Halligan, ekonomist, gazetar, autor dhe prezantues i vlerësuar me çmime / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Jemi në prag të një recesioni të mundshëm global, paralajmëroi më herët këtë muaj Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) – nxitur nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritja e ndërlidhur me të e çmimeve të energjisë në mbarë botën.

Me Ngushticën e Hormuzit, që është e pakalueshme, po afron rritja e gjerë e inflacionit e cila do të dëmtonte seriozisht ekonominë globale.

Së bashku me një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz, kjo bllokadë e dyfishtë Iran/ShBA gjithashtu pengon që një e treta e lëndëve bazë të plehrave kimike që transportohen me det të arrijnë në tregjet globale.

Kjo flet për një rendiment më të ulët të të korrave këtë verë – një rritje serioze e çmimeve të energjisë, shoqëruar edhe me rritje të çmimeve të ushqimeve.

Një e treta e furnizimeve globale me helium kalon përmes Ngushticës, që është jetike në prodhimin e gjysmëpërçuesve. Këta çipa, të krahasueshëm në aspekt strategjik me naftën, mundësojnë triliona dollarë aktivitet ekonomik në sektorët pasues – nga prodhimi te strukturat energjetike, komunikimet pa tela, ruajtja e të dhënave kompjuterike dhe mbrojtja.

Për më tepër, disa kriza të obligacioneve sovrane po marrin hov në vendet e G7-ës, ndërsa vendet perëndimore përballen me deficite të larta fiskale, demografi në tkurrje dhe qeveri të madhe, duke dështuar njëkohësisht të frenojnë shpenzimet e pakontrolluara të mirëqenies sociale.

Huadhënësit e mëdhenj po rrisin kostot e shërbimit të borxhit, duke ushtruar edhe më shumë presion mbi qeveritë që tashmë përballen me mungesë fondesh. Rreziku për një kolaps sistematik, nxitur nga investitorët e obligacioneve me borxh të lartë, nuk mund të injorohet.

Por, çfarë nëse kërcënimi kryesor për ekonominë globale nuk është asnjë nga këto – as gjeopolitika, as rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë apo kaosi i mundshëm në tregjet e borxhit?

Po sikur rreziku kryesor të jetë te vlerësimet e larta në tregjet e aksioneve – veçanërisht çmimet tepër të larta të aksioneve të teknologjisë dhe të kompanive të përqendruara në inteligjencën artificiale [IA]?

Mbivendosje e inteligjencës artificiale: Aksionet e teknologjisë/IA në kapitalizimin e tregut S&P 500Burimi: Goldman Sachs, Bloomberg

Lexo po ashtu:
Bumi i Inteligjencës Artificiale do të jetë i zymtë
IA-ja është një flluskë që pritet të shpërthejë, por prapëseprapë do ta ndryshojë botën
Beteja për identitetin tonë në internet: Unë jam njeri, po ti?
Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale
Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale
Mbreti ynë, prifti ynë, feudali ynë – si po na kthen inteligjenca artificiale në Mesjetë
Gara globale e IA-së do të fitohet nga ai që menaxhon reagimin negativ

Mund të ndodhë vërtet që stabiliteti financiar global të kërcënohet më së shumti pikërisht nga revolucioni i IA-së, tek i cili shumëkush po mbështetet për të shpëtuar rritjen globale.

Pse? Sepse aksionet e lidhura me IA-në po tregtohen tani me vlerësime gjithnjë e më absurde. Dhe, një pjesë e madhe e investimeve gjigante në qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën tjetër teknologjike po financohet me borxh – borxh i cili, nga ana tjetër, mbështetet mbi baza jashtëzakonisht të dobëta.

Unë e pranoj plotësisht se IA-ja, “revolucioni i pestë industrial”, do të ketë një ndikim të thellë në botë, duke pasur potencialin të përshpejtojë fuqishëm ekonominë globale.

Tri “revolucionet” e para zgjatën 250 vjet – fuqia me avull dhe mekanizimi nga vitet 1750, më pas prodhimi i çelikut dhe elektrifikimi, të ndjekura nga përhapja e gjerë e kompjuterizimit në fund të shekullit XX.

Revolucioni Industrial 4.0 përfshiu dy dekadat e para të këtij shekulli – përhapjen e lidhjes në internet dhe “datafikimin masiv”, që do të thotë se shumica e gjërave të shkruar ndonjëherë tani është menjëherë dhe gjerësisht e qasshme.

Dhe, që nga rreth viti 2020, revolucioni i IA-së – kompjuterë gjithnjë e më të fuqishëm që shfrytëzojnë këtë lidhje dhe qasje në informacion – është në kulmin e zhvillimit.

Fuqia e IA-së është e jashtëzakonshme. Ajo mund të optimizojë proceset e prodhimit, të lehtësojë “mirëmbajtjen parashikuese” dhe të automatizojë proceset e projektimit, ndërkohë që përmirëson menaxhimin e zinxhirit të furnizimit dhe kontrollin e cilësisë.

Ajo që po shohim tani është një garë shumë-miliardëshe, jo më pak midis kompanive amerikane dhe kineze, për të dominuar IA-në – informacionin dhe proceset që do të drejtojnë gjithnjë e më shumë sjelljen e konsumatorëve, bizneseve dhe madje edhe qeverive në mbarë botën.

Por, ajo që po ndodh gjithashtu është se kjo mani investimesh në IA po përgatit tregjet e aksioneve për një kolaps thellësisht të dëmshëm.

Aksionet e teknologjisë dhe ato të lidhura me IA-në përbëjnë tani një 45 përqindësh marramendëse të kapitalizimit të tregut S&P 500 të Amerikës – indeksi më i rëndësishëm i aksioneve në botë. Kjo është rritur nga 25 përqind tre vjet më parë, kur u doli ChatGPT-ja.

Ndërsa paratë janë derdhur në kompanitë e IA-së, indeksi Cape-Shiller i S&P 500-ës – një masë shumë me ndikim e raportit të kombinuar çmim-fitimi (P/E) të rregulluar sipas ciklit për aksionet kryesore amerikane – është shtyrë mbi nivelin 40. Kjo është shumë mbi mesataren e tij afatgjatë prej 17 dhe dukshëm më e lartë se 28 para kolapsit të vitit 2008.

Kur raportet çmim-fitim (P/E) janë të larta, investitorët në aksione po paguajnë shumë për të zotëruar një pjesë të fitimeve të një kompanie, çka sugjeron se aksionet janë tepër të shtrenjta. Megjithatë, këto vlerësime jashtëzakonisht të larta vazhdojnë, pavarësisht rritjes së dobët ekonomike, trazirave gjeopolitike dhe perspektivës për inflacion serioz në të ardhmen.

Në tetor, Nvidia – një projektues çipash për IA-në që tashmë është një kompani “gjithëpërfshirëse” softuer/harduer – u bë kompania e parë ndonjëherë që arriti një kapitalizim tregu prej pesë trilionë dollarësh [4.28 trilionë euro]. Vlera e një kompanie të vetme tani tejkalon Prodhimin e Brendshëm Bruto vjetor si të Gjermanisë ashtu edhe të Japonisë.

Duke arritur kulmin: Indeksi CAPE-Shiller i S&P 500Burimi: Goldman Sachs, Bloomberg

Problemi është se aksionet e teknologjisë dhe të IA-së kanë “çmim për përsosmëri” – ideja se gjithçka që lidhet me zhvillimin e këtij revolucioni të fundit industrial do të shkojë në mënyrë perfekte. Por, kjo nuk ndodh kurrë.

Qendrat e të dhënave të IA-së kërkojnë sasi të mëdha energjie elektrike, e cila nuk do të jetë gjithmonë e qasshme. Ndikimi i madh i kësaj teknologjie në punësim, shoqëri dhe demokraci do të thotë se mund të pasojnë rregullime të forta, duke kufizuar ëndrrat komerciale.

Mbi të gjitha, një pjesë e madhe e investimeve që po derdhen në IA është me para hua – nxitur nga borxhi i ofruar nga ofertues të parregulluar privatë të kredisë. Dhe, ky borxh po mbulohet gjithnjë e më shumë me kolateral që përbëhet nga vetë çipat e IA-së.

Shumë investitorë i amortizojnë këta çipa për pesë deri në gjashtë vjet për qëllime llogarie në modelet e tyre të financimit. Por, jeta e tyre reale ekonomike shpesh është shumë më e shkurtër (dy deri në tre vjet), për shkak të daljes së vazhdueshme në treg të pajisjeve më efikase.

Po, IA-ja është transformuese nga pikëpamja ekonomike – por e tillë ishte edhe hekurudha në shekullin XIX dhe revolucioni i internetit në fund të viteve 1990. Të dyja nxitën investime masive spekulative dhe të dyja shkaktuan mani, panik dhe kriza, ndërsa shumë kompani dështuan. Historia nuk zhvillohet në vijë të drejtë.

Dallimi i madh është se infrastruktura hekurudhore dhe ajo e internetit e krijuar gjatë atyre bumeve mbeti në vend – shinat dhe mjetet hekurudhore me vlerë, si dhe kabllot me fibra optike – edhe pasi kompanitë përkatëse falimentuan.

Financimi me borxh që qëndronte pas atyre bumeve të investimeve shpesh ishte i garantuar me këto asete të vlefshme, të cilat ruajtën vlerën e tyre dhe u përdorën për vite me radhë nga konkurrentët dhe hyrësit e rinj në treg.

Ky bum i IA-së është i garantuar me çipa që janë të nënshtruar ndaj vjetërsimit të shpejtë teknologjik. Dhe, kjo, sipas mendimit tim, e bën atë që po ndodh tani shumë më të rrezikshme sesa ciklet e mëparshme të bumit dhe rënies. /Telegrafi/