Në një kontroll të rregullt në pikën kufitare Merdare, zyrtarët policorë kufitarë kanë sekuestruar një shumë prej 119,180 eurosh të padeklaruara, shkruan Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 3 korrik rreth orës 21:30, kur në vijën e dytë të kontrollit u ndalua një automjet me targa serbe, me drejtues dhe pasagjer meshkuj nga Serbia.
Pasagjeri kishte deklaruar vetëm 18,000 euro, por gjatë kontrollit të detajuar në trupin e drejtuesit, në një çantë në ulësen e pasme, poshtë ulëses së pasagjerit dhe në kulmin e automjetit janë gjetur kartëmonedha në vlerë totale prej 119,180 eurosh.
Të gjitha këto para janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar zyrtarëve doganorë për procedim të mëtejshëm.
Policia njofton se ky veprim është pjesë e masave të përforcuara për parandalimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal.