I arrestuari për prezantim të rremë si zyrtar, Naim Bazaj, është edhe kandidat për kryetar të Drenasit

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar ekskluzivisht për një aksion i drejtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, që ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të Naim Bazaj, rreth 54-vjeçar, i dyshuar për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Detyrim”, “Prezantim i rremë si person zyrtar” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.

Siç raportoi Sinjali, ndaj të dyshuarit ishin zhvilluar hetime intensive për disa javë, të cilat kulmuan më 04 korrik 2025, kur me asistimin e njësive të specializuara, ai u arrestua në flagrancë gjatë zhvillimit të veprës penale.

Gjatë kontrollit të banesës dhe objekteve përcjellëse, Policia ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municioni, përfshirë: një armë e gjatë me dylbi, një tyte dhe 200 fishekë kalibër .22 Remington, 1 armë automatike me 15 fishekë dhe një karikator, 1 pushkë gjahu me dy tyta dhe 46 fishekë, 1 armë ajrore 4.5 mm (Made in Germany), 1 pistoletë Sig Sauer me një karikator dhe 29 fishekë, 1 pistoletë AG-9 me dy karikatorë dhe pajisje përcjellëse, 1 iPhone 14 Pro Max dhe 1 kontratë dhe dokumentacion i armës në emër të Fitim Bazaj.

Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

““Prishtinë 01.04.2025 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprat e cekura më lartë. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse janë gjetur dhe sekuestruar shtatë armë zjarri, 290 fishekë, një telefon mobil dhe një kontratë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për të gjitha veprat penale janë në zhvillim e sipër.

E kaluara kontraverse e Naim Bazajt

Naim Bazaj ishte shpallur kandidat për kryetar të Drenasit vetëm pak ditë para arrestimit. Ai njihet si figurë kontraverse në politikën lokale dhe është përfshirë në të kaluarën në disa skandale dhe raste ligjore.

Vite më parë, ai kishte dalë kundër kandidimit të Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit, duke deklaruar:

“Shkoni në qendrën e regjistrimit në Drenas dhe i merrni dëshmitë e tij sepse është e vërtetë që s’ka qenë kurrë banor i Drenasit. Pas luftës ai ka qenë banor i Prishtinës. Mund të them se Lladrovci është banori më i ri i Drenasit.”

Po atë pasdite, Bazaj doli para qytetarëve së bashku me Kadri Veselin, duke deklaruar tërheqjen nga gara dhe mbështetjen për kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovcin. Ky veprim u prit me fishkëllima nga të pranishmit.

Më herët, Bazaj kishte deklaruar: “I kishte dërguar shkresë Veselit për ta kandiduar.”.

Pas vendimit të PDK-së për të kandiduar Lladrovcin, ai shpërtheu me akuza, duke thënë:

“Nuk është e vërtetë që e ka emëruar Kryesia e Drenasit, por emërimin e Lladrovcit e ka bërë selia qendrore e PDK-së. Kryesia e Drenasit të gjithë ishin të pakënaqur me emrin e Lladrovcit dhe nuk e mbështeten emrin e tij pothuajse askush. Por Kadri Veseli erdhi me zarf si në kohën e Rankoviqit dhe tha: ‘Urdhëroni ky do të jetë kryetari’.”.

Më vonë, ai tha se vendimi për t’u tërhequr ishte për të mos e përçarë PDK-në në Drenas:

“E pamë që i gjithë elektorati i Partisë Demokratike të Kosovës, u nda në dysh, dhe për këtë arsye, nuk jam unë kundërshtari i atyre, që të jem ndaras, por të jem së bashku të gjithë.”

Arrestimi i vitit 2006

Bazaj ishte arrestuar edhe në vitin 2006, gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës, ku në bashkëpunim me Skenderbe Hebibin dhe Mursel Bilallajn, iu gjet një sasi e madhe armatimi, përfshirë top pa dridhje, granata antitank dhe maska.

Në atë kohë, Bazaj ishte kryetar i Degës së AAK-së në Drenas dhe këshilltar politik në MPMS. Pas arrestimit, ai u shkarkua nga ministri Ibrahim Selmanaj dhe u përjashtua nga AAK-ja:

“Për shkak të implikimeve në aktivitete të kundërligjshme dhe në shpërputhje me qëndrimet e partisë për rend, ligj, qetësi dhe siguri në Kosovë, e ka përjashtuar nga partia Naim Bazajn”, thuhej në komunikatën e AAK-së të datës 21 dhjetor 2006.

Sipas raportit të Policisë, atëherë iu sekuestruan 116 granata artilerie, granata antitank, dy armë automatike, një top pa dridhje, granata dore, uniforma ushtarake, maska kundër helmit dhe mbi 2500 fishekë.

Pas këtij skandali, Bazaj kaloi nga AAK në PDK dhe vazhdoi aktivitetin e tij politik.

Naim Bazaj, ditë më parë e kishte konfirmuar pjesëmarrjen ne garën për kryetar të Komunës së Drenasit.

 

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *