Hoti “godet” Osmanin: Po përpiqet të gjejë viktimën e radhës për një mandat tjetër

Ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka ‘goditur’ sërish presidenten e vendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha të premten se Vjosa Osmani po përpiqet të gjejë “viktimën e radhës për ta mashtruar për një mandat tjetër”.

Në një reagim në Facebook, Hoti akuzoi edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për bllokim të institucioneve, refuzim të institucioneve të drejtësisë dhe korrupsion në qeverisje.

“Dy krerët e shtetit, kryeministri dhe presidentja, tanimë kanë hyrë në historinë politike të Kosovës si mashtrues të elektoratit dhe dëmtues të shtetit të Kosovës. Në përmbyllje të mandatit të tyre pesëvjeçar në krye të shtetit, po bëjnë përpjekjet e fundit dëshpëruese”, tha ai.

“I pari, duke i mbajtur të bllokuara institucionet e vendit dhe duke mos iu përgjigjur drejtësisë, ndërkohë që korrupsioni ka lulëzuar gjithandej”, shtoi Hoti. “E dyta, po përpiqet të gjejë viktimën e radhës për ta mashtruar për një mandat tjetër apo për rikthim në garën politike elektorale”.

Sipas Hotit, skena politike është “pa ide, angazhim dhe guxim për të ofruar zgjidhje”.

Komentet e Hotit vijnë pas deklaratave të djeshme të presidentes Osmani, e cila në një konferencë për media e quajti Hotin “njeri jorelevant” pasi paraprakisht Hoti kishte kritikuar Osmanin që tha se Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar nga Hoti, është zbatuar.

“Hoti është njeriu më jorelevant, në të cilin nuk dua të humb asnjë sekondë. Nëse doni ta bëni si pyetje tuajën se a është zbatuar marrëveshja a po jo, vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve. A e keni lexuar marrëveshjen, cilën pjesë nuk e ka zbatuar Kosova?”, tha dje Osmani, duke iu përgjigjur një gazetari që e kishte pyetur për deklaratat e Hotit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *