
Në vitin kur shënon çerek shekulli nga themelimi, UBT shkruan historinë në arsimin e Kosovës dhe rajonit: renditet i pari në botë për “University Brand and Reputation” në rangimin prestigjioz global WURI 2026.
Ky sukses i jashtëzakonshëm vjen si rezultat i 25 viteve zhvillim, inovacion dhe ndërkombëtarizim, duke e pozicionuar UBT-në në krye të universiteteve më inovative në botë për ndikimin, besueshmërinë dhe reputacionin ndërkombëtar.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, theksoi se kjo arritje merr një domethënie të veçantë në vitin jubilar të institucionit, duke e cilësuar si një moment historik.
“Ky është një vit i veçantë për UBT-në, 25 vjet rrugëtim që kulmojnë me këtë arritje historike. Të renditesh i pari në botë për reputacionin universitar është dëshmi e vizionit tonë afatgjatë dhe e punës së palodhshme për të ndërtuar një institucion me ndikim global”, u shpreh ai.
Renditja në vendin e parë për reputacionin universitar është një garanci e fuqishme për cilësinë e arsimit, besueshmërinë e diplomës dhe mundësitë ndërkombëtare për studentët.
UBT, vitin e kaluar është vlerësuar si “Engaged University of the Year”, duke u renditur i pari dhe më i miri në nivel global dhe duke lënë pas universitete prestigjioze nga Suedia, Kanadaja, Australia dhe Arabia Saudite.