Hekuran Murati trondit: “Opozita po përgatitet për koalicion me Listën Serbe pas zgjedhjeve lokale!”

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me zgjedhjet lokale të 9 shkurtit, duke thënë se ato nuk do të përcaktojnë vetëm fatin e komunave, por edhe të Qeverisë së Kosovës.

Sipas Muratit, opozita është duke u përgatitur që, menjëherë pas zgjedhjeve komunale, të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve qendrore dhe të formojë një qeveri të re në koalicion me Listën Serbe.

“Po të dëgjoni me kujdes, tashmë ata kanë filluar ta thonë hapur nëpër studio televizive dhe tubime lokale – se pas zgjedhjeve lokale do të bëhen bashkë për ta përmbysur Qeverinë Kurti,” ka deklaruar Murati.

Ai paralajmëroi se opozita po e zvarrit qëllimisht hapin e formimit të qeverisë, pasi një marrëveshje e hapur me Listën Serbe para zgjedhjeve komunale do të ishte fatale për ta.

“Për zvarritje po ua ndihmon edhe Gjykata Kushtetuese, që tash e një muaj e ka mbajtur Kuvendin të bllokuar,” shtoi Murati.

Duke e cilësuar këtë si një moment vendimtar, Murati tha se zgjedhjet lokale do të përcaktojnë se çfarë qeverie do të ketë Kosova – një Qeveri Kurti 3 që forcon shtetin, apo një qeveri që “pret Listën Serbe në Kuvend për 6 orë, derisa të kthehen nga Beogradi me instruksione për sabotimin e Kosovës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *