Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe ushqim në mensë për vitin akademik 2025/2026.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 15 shtator deri më 20 shtator 2025, dhe aplikimi do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike përmes sistemit online në adresën zyrtare qs.rks-gov.net si dhe në faqen zyrtare në Facebook Qendra e Studentëve – Prishtinë.
Sipas njoftimit, këtë vit pritet të pranohen rreth 4,000 studentë në konvikte, ndërsa për ushqim në mensë do të përfitojnë 1,500 studentë. Studentët e rregullt të UP-së mund të aplikojnë edhe vetëm për ushqim, sipas kritereve të njëjta me aplikimin për banim.
Tarifa mujore e shërbimeve është caktuar në 35 euro – nga të cilat 20 euro për banim dhe 15 euro për ushqim.
Përzgjedhja e studentëve do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në konkurs.