Endrit Nika dënohet me 18 vite burgim

IMG_1790

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të enjten aktgjykim dënues prej 18 vitesh ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë.

Aktgjykimin e shpalli kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri.

“I akuzuari është fajtor për veprën penale vrasje e rëndë, gjykata në bazë të dispozitave të akuzuarin e gjykon me burgim me kohëzgjatje prej 18 viteve”, tha ai.

Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023, në Fushë-Kosovë, në hotelin “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K.U., e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë në parkingun jashtë hotelit.

Më pas, pasi hynë në dhomën e hotelit ku qëndronin, Nika, me dashje për ta privuar nga jeta të ndjerën, vazhdoi përleshjen dhe goditjet ndaj saj, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk kishte mundësi të largohej. Nga goditjet dhe shtyrjet e Nika-s, ai e nxjerr kornizën e dritares dhe e hedh atë nga kati i gjashtë i dhomës së hotelit, me ç’rast M.K.U. pësoi lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Për shkak të veprimeve të përshkruara, Prokuroria e akuzon Endrit Nikën për kryerjen e veprës penale – vrasje e rëndë.