E rëndë: 3 vjeçari Brian Spahiu ndërron jetë pasi shkoi te dentisti

PD_Postim

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq 7 persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit,Brian Spahiu pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

Në përfundim të hetimeve dërgoi në gjyq shtetasit Roland Xhaxho dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe shtetasen Ina Xhaxho për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’; shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.

“Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët Roland dhe Ina Xhaxho. Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.

Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

Këto shkelje kanë konsistuar në:

Moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;

– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike”, bën me dije Prokuroria.

Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët Ina Xhaxho dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur. Ndërkohë, nga hetimi, u provua që stomatologia Ina Xhaxho pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A, shkruan Euronews.al.

Gjithashtu, shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G.