Gazeta Sinjali mëson se një rast i dhunës në familje është denoncuar më 15 shtator, rreth orës 14:00, në magjistralen Podujevë–Prishtinë, ku një grua ka raportuar se është dhunuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima është identifikuar si E. H., rreth 22-vjeçare, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj, D.M., rreth 22-vjeçar, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke i shkaktuar lëndime trupore të dukshme. Ajo ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa pas intervistimit ka vendosur të shkojë për të jetuar tek prindërit e saj.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake, është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.
I dyshuari nuk është gjetur në shtëpi, por ndaj tij është lënë ftesë për paraqitje në stacionin policor.
Rasti është iniciuar për veprat penale: “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.