Dëmtoi flamurin turk gjatë një aktiviteti për Ramazan në Mitrovicë, aktakuzë ndaj të dyshuarit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.Z. për veprat penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Sipas aktakuzës, më 5 mars 2026 në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, gjatë një aktiviteti publik për iftar në muajin e Ramazanit, i pandehuri dyshohet se ka dëmtuar flamurin e Republikës së Turqisë me një mjet të mprehtë dhe ka shprehur fyerje publike ndaj tij, me qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mosdurimit.

Po ashtu, nga një periudhë e pacaktuar deri më 12 mars 2026, i njëjti dyshohet se ka poseduar një armë dhe municion pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen e rasteve të tilla, në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe vlerave demokratike në vend. /Telegrafi/