Çitaku-Kurtit: Ti s’kërkon marrëveshje, por nënshtrim

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit në Londër ku ky i fundit foli edhe për krijimin e Qeverisë si dhe rreth asaj se çfarë i kishte ofruar Fatmir Limajt kur dhe kishin zhvilluar bisedime muaj më parë.

Në një postim në Facebook, Çitaku, gjithmonë referuar Kurtit thotë se “kjo kastë drejtuesish tashmë e ka shndërruar në normë keqpërdorimin e misioneve diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Ajo ka thënë se Kurti nuk kërkon marrëveshje e kompromis por veç nënshtrim.

“Në kulmin e fushatës zgjedhore, në një kohë kur vendi nuk ka qeveri legjitime, ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit.
Rasti i fundit në Londër e shfaq më qartë se kurrë mendësinë e një partie që e sheh shtetin si pronë të vetën.
E për më tepër, njeriu që nuk la askënd pa fyer e përbuzur, pa asnjë kod, sot paska dalë të thotë se na qenka helmuar atmosfera, se paska xhelozi e inate, andaj po e ka vështirë ta bëjë qeverinë”.

“Jo A.K. Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis. Ti kërkon nënshtrim. Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet”, shkroi Çitaku.

/Reporteri.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *