Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur nga Xhafer Tahiri me Vetëvendosjen në Vushtrri, duke e quajtur këtë veprim të paautorizuar dhe të papranueshëm nga partia.
Në një deklaratë që ka bërë bujë, Abdixhiku ka thënë se LDK nuk e njeh marrëveshjen dhe ka kërkuar nga votuesit vushtrrias që të mos i binden një vendimi të tillë, pasi – siç tha ai – është një iniciativë personale që nuk përfaqëson partinë.
“Nuk mund të quhet marrëveshje kjo e Xhafer Tahirit. Shihet një kryetar i partie tjetër, e nuk e ke kryetarin tënd, o qyqan,” – deklaroi Abdixhiku, duke lënë të kuptohet se vendimi i Tahirit ka qenë i nxituar dhe politikisht i dëmshëm.
Kreu i LDK-së theksoi se çdo masë ndaj Tahirit do të merret pas 9 nëntorit, pasi aktualisht partia është e fokusuar në fushatat zgjedhore në komunat ku është ende në garë për balotazh.