
Një aksion i mirëorganizuar i Policisë së Kosovës ka rezultuar me kapjen e një sasie të madhe narkotikësh në Merdare të Podujevës, ku është arrestuar një person i dyshuar për trafikim të drogës.
Ngjarja ka ndodhur më 09.02.2026, rreth orës 06:00, kur Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Sektori Qendror, pas hetimeve paraprake dhe një plani taktik, ka ndaluar në dalje nga Kosova një veturë të tipit Skoda, që drejtohej nga Pren Berisha.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, konkretisht në rezervuar, zyrtarët policorë kanë zbuluar dhe konfiskuar rreth 7 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e ndarë në 24 paketime. Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e drogës në treg arrin rreth 35 mijë euro, ndërsa dyshohet se ishte destinuar për transport drejt Republikës së Serbisë.
Pas arrestimit, në koordinim me Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, është realizuar edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit në Prizren.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, përfshirë: 4 vetura, 1 telefon mobil, 9 paketime me qese plastike dhe dy rrotulla plastike, 2 aparate për vakum, 2 peshore digjitale, si dhe dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.