
Dy anëtarë të forcave të rendit humbën jetën gjatë një aksidenti fatal, pasi një helikopter i Departamentit të Sigurisë Publike të Arizonës u rrëzua gjatë një operacioni për t’iu përgjigjur një situate me sulmues aktiv.
Sipas ABC News, ekuipazhi i helikopterit tip Ranger ishte nisur për të ndihmuar Policinë e Flagstaff-it dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të mërkurën në mbrëmje, më 4 shkurt 2026. Zëdhënësi i departamentit, rreshteri Kameron Lee, konfirmoi se gjatë operacionit ndodhi aksidenti.
“Fatkeqësisht, gjatë incidentit helikopteri u rrëzua, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe të efektivit të policisë, i cili shërbente edhe si paramedik”, deklaroi Lee. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetin e viktimave.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se helikopteri Bell 407 u rrëzua rreth orës 22:15 pranë qytetit Flagstaff. Pas rrëzimit u raportua edhe një zjarr. Mjeti ajror ishte prodhuar në vitin 2004.
Zona ku u rrëzua helikopteri ndodhet në verilindje të vendit, aty ku po zhvillohej operacioni ndaj një të dyshuari për të shtëna me armë. I dyshuari pësoi plagë të lehta nga arma e zjarrit dhe u arrestua nga policia. Sipas autoriteteve, nga incidenti nuk pati persona të tjerë të lënduar.
FAA njoftoi se do të bashkëpunojë me Bordin Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) për hetimin e shkaqeve të aksidentit, dhe autoritetet federale pritet të zhvillojnë një hetim të plotë për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.