Gjykata gjermane dënon me 8 vjet e gjysmë burg burrin që përdhunoi dhe filmoi gruan e tij

IMG_6944

Një gjykatë në qytetin gjerman Aachen ka dënuar një burrë me tetë vjet e gjysmë burg për përdhunimin e përsëritur të gruas së tij, duke e drogësuar atë, incizuar aktet dhe më pas duke i publikuar online.

Burri, i identifikuar vetëm si Fernando P për arsye të ligjit gjerman për privatësinë, u gjet fajtor për përdhunim të rënduar, dëmtime serioze trupore dhe shkelje të privatësisë personale.

Gjykata konstatoi se 61-vjeçari, i lindur në Spanjë, kishte droguar dhe përdhunuar gruan e tij në shtëpinë e tyre për një periudhë disa vjeçare, nga viti 2018 deri në 2024, raporton bbc, transmeton Sinjali.

Zëdhënësja e gjykatës, Katharina Effert, tha se burri gjithashtu incizonte keqtrajtimet dhe i shpërndante online. “Ai ngarkonte videot e këtyre veprimeve në grupe chat dhe platforma interneti, duke i bërë të aksesueshme për përdorues të tjerë,” shtoi ajo.

Shumica e gjykimit u zhvillua pas dyerve të mbyllura për të mbrojtur identitetin e gruas së tij.

Avokatja e saj, Nicole Servaty, u tha gazetarëve se gruaja “pat një zë të vërtetë në këtë proces”, duke shtuar: “Ajo ishte në gjendje të dëshmonte, të shprehte ndjenjat e saj dhe gjithçka që e ka ngarkuar.”

Ajo theksoi se vendimi nuk mund të zëvendësojë atë që ka ndodhur. “Por mund të ndihmojë pak në përballimin e situatës dhe përpunimin e asaj që ka ndodhur.”

Verdikti ende mund të apelohet. Mediat gjermane theksojnë se ky rast ka ngjashmëri me një çështje me profil të lartë në Francë vitin e kaluar që përfshinte Dominique Pelicot.

Ai u gjet fajtor për drogimin e fshehtë të gruas së tij, Gisèle, dhe për ftesën e dhjetëra burrave që ta përdhunonin atë ndërsa ishte e pavetëdijshme për vite me rradhë.

Vendimi i Gisèle për të hequr anonimitetin dhe për të zhvilluar një gjyq publik e bëri atë një ikonë feministe, e lavdëruar për dëshminë e fuqishme dhe guximin e saj.

Zyra Federale Gjermane e Policisë Kriminale, BKA, thotë se viktimat e drogimit dhe më pas të abuzimit seksual janë “afro ekskluzivisht gra”.

Ajo shton se këto krime “zakonisht ndodhin duke shfrytëzuar një marrëdhënie besimi” brenda martesave, partneriteteve, familjeve ose midis njohjeve të afërta.