Bedri Hamza jep premtimin e madh për punëtorët e sektorit privat

IMG_5812

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka dhënë një premtim të rëndësishëm për punëtorët e sektorit privat, duke paralajmëruar masa që, sipas tij, do të përmirësojnë ndjeshëm mirëqenien dhe sigurinë sociale të kësaj kategorie punëtorësh.

Gjatë një adresimi publik, Hamza tha se Qeveria që ai synon të udhëheqë do të themelojë Fondin e të Papunëve, një mekanizëm i ri që do t’u ofrojë mbështetje financiare punëtorëve që mbesin pa punë. Sipas tij, ky fond do të krijojë një bazë sigurie për çdo punëtor të sektorit privat, i cili deri më tani ka qenë më pak i mbrojtur në raste të humbjes së vendit të punës.

Një tjetër zotim i rëndësishëm është krijimi i Gjykatës së Punës, një institucion i posaçëm që do të trajtojë me prioritet kontestet mes punëtorëve dhe punëdhënësve, me qëllim që proceset të jenë më të shpejta, më të drejta dhe më efikase.

Hamza përmendi edhe lehtësira të ndryshme administrative, përfshirë mbështetje për lehonat, familjet dhe bizneset, si dhe proces të thjeshtuar të legalizimeve me tarifa simbolike. Ai tha se këto masa synojnë të rrisin investimet, të krijojnë vende të reja pune dhe të forcojnë ekonominë e vendit.

Sipas tij, gjithë kjo platformë ekonomike është ndërtuar për të garantuar standard më të lartë jetese dhe për të krijuar kushte më të favorshme për punëtorët që mbajnë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik në vend.