
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur rreth orës 16:20 në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, ku u përfshinë dy automjete civile, njëri me targa vendore dhe tjetri me targa të huaja.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë dy automjete të dëmtuara rëndë, duke u përplasur frontalisht. Si pasojë e aksidentit, pesë persona janë lënduar: dy shoferët dhe tre pasagjerë.
Fatkeqësisht, njëri nga pasagjerët, i identifikuar me inicialet V. M. (1999), humbi jetën në spitalin rajonal të Mitrovicës Veri rreth orës 20:30. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme.
Policia e Kosovës njofton se hetimet janë në zhvillim për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe apelon tek të gjithë drejtuesit e mjeteve që të jenë të kujdesshëm në rrugë, të shmangin tejkalimet e rrezikshme dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, veçanërisht gjatë motit të keq.