Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se po i rrit në mënyrë drastike kostot e bizneseve vendore, ndërsa përgjegjësinë për rritjen e pagave po ua hedh atyre.
Sipas Bajramit, qeveria Kurti ua ka rritur bizneseve çmimin e energjisë elektrike deri në 300 për qind, ka rritur tatimin në pronë, e tash, në mënyrë paradoksale, u thotë se pikërisht këto biznese duhet të rrisin pagat e punëtorëve.
“Ata detyrohen të paguajnë energjinë trefish më shtrenjtë dhe tatime më të larta, por kur vjen puna te pagat, situata ndryshon krejtësisht”, shkruan Bajrami.
Ajo rikujton edhe rastin e bujshëm të para një viti, kur gratë që punonin për një kompani private që mirëmbante ndërtesën e Kuvendit, mbajtën grevë mbi dy muaj në oborrin e Kuvendit, vetëm 100 metra larg zyrës së Kryeministrit. Ato kërkonin pagën minimale prej 350 euro, të shpallur nga vetë Kurti.
“Sot, shumica e atyre grave janë pa punë”, thekson Bajrami, duke e cilësuar situatën si dëshmi të dështimit të qeverisë për ta zbatuar në praktikë atë që e propagandon publikisht.
Në fund, ajo shton se ato gra, sikurse qytetarë të tjerë të zhgënjyer, e lexojnë sot statusin e Albin Kurtit për pagën minimale dhe kanë të drejtë vote më 28 dhjetor, duke lënë të hapur mesazhin se zhgënjimi do të reflektohet në votë.