Partitë dorëzojnë listat në minutat e fundit, ekspertët: Pa risi të mëdha

Partitë dorëzojnë listat në minutat e fundit, ekspertët: Pa risi të mëdha

Listën me kandidatët e tyre për deputetë, secili subjekt politik tashmë e ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndonëse afati për dorëzimin e këtyre listave ka qenë i hapur nga 24 nëntori, subjektet politike e kanë pritur ditën e fundit, 7 dhjetorin, për publikimin e tyre.

Politologu Dorajet Imeri, tha për Radio Dukagjinin se partitë nuk kanë ofruar ndonjë ndryshim të madh, krahasuar me zgjedhjet e shkurtit.

“Partitë politike në minutat e fundit që të zgjedhin disa figura të reja, me synimin që të duken se po u japin mundësi figurave, njerëzve, kontributorëve, profesionistëve, dhe kjo mbetet të shihet. Unë konsideroj se nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme ndoshta, e për këtë arsye unë konsideroj se listat janë pak a shumë në domenin e asaj çfarë i kemi pasur në zgjedhjet paraprake”, theksoi Imeri.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Muhamet Hajrullahu, thotë se fokusi duhet të jetë te programet e partive.

“Është shumë e rëndësishme që ka reforma dhe zhvillim brenda listave. Por për mua prej sot mbetet çështja çfarë do të ofrojnë këto lista, cili është programi. Këtu duhet të jetë thelbi, e jo emrat. Emrat shkojnë e vijnë, natyrshëm janë freskim, por për mua programi çfarë ka të ofrojë është elementi kryesor në këtë periudhë.”, tha Hajrullahu.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, paritë e mëdha kandidojnë të vetme, ndërsa partnerët politik i kanë përfshirë brenda listës së tyre.