

Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora, proces ky që prej javësh ka shënuar interesim të shtuar nga qytetarët jashtë vendit.
Qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës kanë vetëm pak orë për të dërguar aplikimet e tyre, në mënyrë që të përfshihen në listën e votuesve jashtë Kosovës, për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike apo përmes postës.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga 26 nëntori deri pasditen e së premtes, më 5 dhjetor, janë pranuar rreth 64,000 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës. Prej tyre, 57,000 janë aprovuar, ndërsa rreth 6,700 janë refuzuar. Në vlerësim e sipër mbeten rreth 100 aplikime. Shumica e votuesve të regjistruar, rreth 41,000, kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se votuesit që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës largohen nga lista e votuesve brenda vendit, për të siguruar që secili të votojë vetëm një herë dhe për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.
“Procesi i regjistrimit është mundësuar vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk ka pasur nevojë të regjistrohen. KQZ ka detyrim ligjor që çdo shtetas i regjistruar për të votuar jashtë Kosovës të mos figurojë më në listën e votuesve brenda vendit, duke e pasur të drejtën e votimit vetëm jashtë Kosovës, sipas kërkesës së votuesit. Ky njoftim u dërgohet individualisht të gjithë aplikuesve. Ndërkohë, të gjithë shtetasit që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në listën e votuesve brenda vendit”, ka thënë Elezi.
Faza e radhës për votuesit e regjistruar do të jetë votimi, që do të organizohet në afate të ndryshme, varësisht nga lloji i votimit që kanë zgjedhur votuesit gjatë regjistrimit.
“Votuesit që kanë zgjedhur të votojnë fizikisht do të mund të votojnë më 27 dhjetor, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të çdo shteti. Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025. Për votimin me postë, janë aktive kutitë postare në 22 shtete të botës dhe kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, ka shpjeguar Elezi.