

Ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe ndërmjetësuesja e dialogut Kosovë-Serbi, Federica Mogherini është ndaluar në Bruksel të martën si pjesë e një hetimi për mashtrim.
Mogherini është ndaluar nga policia belge si pjesë e një aksioni që përfshin dyshimet për mashtrim në Kolegjin e Evropës dhe Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), raportuan mediat belge.
Mogherini është aktualisht Rektore e Kolegjit të Evropës, derisa më parë ka shërbyer si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme. Ajo, për disa vite ka shërbyer edhe si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas gazetës Le Soir, sot janë kryer bastisje në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bryzh.
Në total, janë arrestuar tre persona: përveç Mogherinit, Stefano Sannino, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Drejtor i Përgjithshëm aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Mesdheun, dhe një menaxher nga Kolegji i Evropës.
Hetimet ndërlidhen me vepra të dyshuara të jenë kryer në vitet 2021-2022.
Mogherini dhe dy të tjerët dyshohen për mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsioni, konflikti i interesit dhe shkelja e sekretit profesional.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian, e cila ka urdhëruar bastisjet, është një organ i pavarur i BE-së përgjegjës për luftimin e mashtrimit me fonde të BE-së dhe hetimin e autorëve të çdo krimi.
Përpara këtij operacioni policor, Zyra e Prokurorit Publik Evropian kishte kërkuar heqjen e imunitetit që gëzonin disa të dyshuar, gjë që u dha.