Vazhdon protesta e Trafikut Urban

Protesta e punonjësve të “Trafikut Urban” do të vazhdojë edhe sot. Tashmë janë bërë një javë që ata janë duke protestuar, për shkak të mos pagesës.

Mijëra qytetarë janë detyruar që të gjejnë zgjidhje alternative për të lëvizur në mungesë të transportit publik.

Përfaqësues të trafikut urban dhe atyre privatë kanë njoftuar se protestat do t’i vazhdojnë derisa mjetet financiare t’u dalin në llogaritë bankare.

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur të enjten, kanë votuar pro bartjes së mjeteve vetanake të vitit të kaluar në vitin 2025, të cilat kapin vlerën e 28 milionëve.

Pas këtij votimi, pritej që t’i hapej rruga e pagesave të faturave që Komuna e Prishtinës ka obligime ndaj kompanive publike. Ndër to, edhe ndaj Trafikut Urban.

Por, pagesat nuk janë kryer ende dhe punëtorët e transportit publik po vazhdojnë grevën.

Nga Sindikata e “Trafikut Urban” kanë thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje nuk i kanë marrë pagat që dy muaj, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *