Ky është biznesmeni shqiptar që u qëllua për vdekje

Ky është biznesmeni shqiptar që u qëllua për vdekje

Copy of Podujeva Sot Telefon

Qyteti i Elbasanit u trondit mbrëmjen e së Dielës, më 30 Nëntor, nga një atentat i rëndë me armë zjarri, ku u ekzekutua një biznesmen 43-vjeçar. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35, në ambientet e biznesit të tij.

Viktima u identifikua si biznesmeni Edmond Hyka, i njohur edhe si Mondi Mëhalla, personi që shihni në foto.

Mëhalla u qëllua me dy plumba në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ekzekutimi ndodhi brenda automjetit të tij luksoz, një “Range Rover”.

Atentati u krye në karburantin “Xhaxhi Oil”, pronë e 43-vjeçarit, i cili ndodhej në lagjen “Emin Matraxhiu”, në dalje të qytetit të Elbasanit. Sipas deklarimeve nga vendngjarja dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, viktima sapo kishte dalë nga zyra e karburantit dhe kishte hyrë në makinën e tij kur u sulmua.

Hetuesit paraprakisht dyshojnë se pjesë e atentatit ishin dy persona, të cilët qëlluan disa herë me pistoletë në drejtim të tij, para se të largoheshin menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Edmond Hyka (Mondi Mëhalla) ushtronte aktivitet të gjerë biznesi në Elbasan. Përveç karburantit “Xhaxhi Oil”, ai ishte pronar edhe i një rrjeti taksish në qytet, të quajtur “El Taxi”. Në vendin ku u krye vrasja, u panë të parkuara disa prej taksive të tij, pranë makinës ku u ekzekutua.

Biznesmeni i vrarë nuk ishte një emër i panjohur për Policinë. Ai rezultonte i skeduar më parë për precedentë penalë, duke përfshirë: Shpërndarje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje.

Burime nga grupi hetimor konfirmuan se Mëhalla ishte në gjyq për armëmbajtje pa leje dhe sende të ndaluara, pasi rreth një vit më parë atij i ishte gjetur edhe një shkop gome.

Mëhalla jetonte në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit, por e ushtronte aktivitetin e tij të biznesit kryesisht në Elbasan.

Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po ndjek disa pista kryesisht të lidhura me të shkuarën e tij kriminale, por deri në këto momente nuk ka asnjë autor të identifikuar, as të dyshuar të shpallur.

Një tjetër vrasje mafioze, një tjetër makinë luksoze, një tjetër arratisje pa gjurmë, një tjetër dosje që me gjasë do të mbetet në sirtar. Elbasani dhe Shqipëria duket se po vazhdojnë të jetojnë me të njëjtin skenar që përsëritet prej vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *