Në Prishtinë, prej sot nis kaosi.
Mijëra qytetarë të cilët çdo ditë përdorin transportin publik, prej sot nuk do të mund ta shfrytëzojnë të njëjtin.
Kjo pasi të gjitha linjat e transportit publik e privat, janë ndërprerë.
Kjo për shkak të problemeve financiare, dhe faktit që komuna e Prishtinës ka mbetur pa buxhet.
Komuna akuzon qeverinë, qeveria komunën. Pasojat i bartin qytetarët.
Lidhur me këtë dje, kryetari Përparim Rama, ka deklaruar se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama gjatë konferencës për media.
Mbrëmë si pasojë e kësaj teme, pati përplasje edhe ndërmjet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e Hekuran Muratit. Të dy, duke gjuajtur fajin te njëri-tjetri.
Trafiku Urban theksoi se për muaj të tërë, punëtorët janë pa paga.
“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes. Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i kontratës që kishte bërë komuna e Prishtinës me linjat private, të njëjtit e kanë ndërprerë punën pasi nuk janë kompensuar për muaj të tërë.
Me këtë rast, në shenjë proteste, kompanitë private të autobusëve nuk do të kryejnë shërbime gjatë ditës së hënë dhe nuk do të ketë transport për udhëtarë.
Protestën e kanë konfirmuar Shoqata e Transportit “Uni Trans” që përfshinë linjat private në Prishtinë.
Nga kjo shoqatë kanë bërë me dije që arsyeja e protestës është vonesa e pagesave për kompanitë private të transportit nga ana e Komunës së Prishtinës.
“Arsyeja e protestës lidhet me vonesat e pagesave nga Komuna e Prishtinës. Që gjashtë muaj, nuk kemi pranuar asnjë pagesë nga komuna për shërbimet që kemi ofruar”, kanë deklaruar nga shoqata.
Për pasojë, në Prishtinë që nga mëngjesi po lulëzon transporti ilegal.