Kurti: S’ka rrugë apo mënyrë tjetër pos zgjedhjeve të reja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 27.10.2025 ka deklaruar se Kosova nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër pos të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Kurti ka thënë se LVV zgjedh zgjedhjet para çdo marrëveshjeje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve.

Ai ka thënë se LDK-ja ka refuzuar kategorikisht qeverinë e udhëhequr nga ai e po ashtu edhe Nisma Socialdemokrate ka refuzuar përfundimisht të jetë në Qeverinë që e drejton ai.

“E vetmja mënyrë se si LDK pranonte të ishte pjesë e Qeverisë me ne ishte që edhe PDK-ja të jetë aty brenda. Për neve kjo është e papranueshme sepse e dëmshme. Ne jemi të interesuar dhe angazhohemi që ta zhvillojmë shtetin e jo ta mbajmë pushtetin, prandaj para çdo marrëveshjeje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi siç e pamë nga dita e djeshme nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveç zgjedhjeve të reja”- është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se dje Kuvendi nuk arriti të zgjedhë Qeveri të re përkundër tentimeve dhe gatishmërisë së hapur e të sinqertë të subjektit të tij.

“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një Qeveri të udhëhequr nga unë, kurse NISMA përfundimisht nuk deshi të jetë në një Qeveri që e drejtoj unë. Po të pranon ofertën tonë për bashkëpunim ne jo vetëm që do të kishim numrat e nevojshëm për të formuar Qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnim zgjidhje çështjes së presidentit që na pret për katër muaj”- u shpreh ai.

Albin Kurti ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë Kurti 3. Për kanë votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës kanë votuar kundër dhe katër vota kanë qenë abstenim.

Tash, presidentja Vjosa Osmani brenda 10 ditësh do të vendosë se kujt do t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë sipas procedurës së njëjtë.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsiderojë të konstituar Kuvendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *