Presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij të martën para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklaroi se gjatë mandatit të tij të dytë ka ndërprerë shtatë konflikte të qëndrueshme, që ai i cilësoi si “luftëra të pafundme”.
Ai përmendi se ndër këto konflikte janë lufta mes Kosovës dhe Serbisë, si edhe përplasje mes Kamboxhias dhe Tajlandës; Pakistanit dhe Indisë; Izraelit dhe Iranit; Egjiptit dhe Etiopisë; Armenisë dhe Azerbajxhanit; dhe lufta midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës.
Trump tha se shumëkush mendonte se këto konflikte nuk kishin zgjidhje, por sipas tij “ja ku jemi sot – paqe”. Ai shtoi se asnjë president tjetër nuk kishte realizuar diçka të tillë.
Ai gjithashtu kritikoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar në këto çështje. Trump u shpreh se gjatë mandatit të tij është përkushtuar për të shpëtuar jetë dhe për t’i dhënë fund luftërave që kanë marrë miliona jetë njerëzish.