Pagat mesatare në botë ndryshojnë dukshëm nga një shtet në tjetrin, duke reflektuar nivelin e zhvillimit ekonomik, fuqinë blerëse dhe standardin e jetesës. Shtetet e Evropës Perëndimore dhe disa vende të tjera të zhvilluara vazhdojnë të kryesojnë listën me pagat më të larta.
Sipas raportit të publikuar nga CEOWORLD Magazine në gusht 2025, Zvicra renditet si vendi me pagën mesatare më të lartë në botë, me mbi 8,200 dollarë në muaj për disa kategori të punësuarish. Pas saj vijnë Luksemburgu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Danimarka, Islanda dhe Norvegjia, të cilat ofrojnë paga të larta sidomos në sektorët e teknologjisë, shëndetësisë dhe financave.
Në anën tjetër, sipas Euronews Business, vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanit kanë paga dukshëm më të ulëta. Për shembull, Rumania dhe Bullgaria llogariten ndër vendet me pagat më të ulëta në Bashkimin Evropian.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2024, paga mesatare bruto ka arritur në 639 euro, ndërsa paga mesatare neto është 552 euro. Edhe pse ka një rritje krahasuar me vitet e kaluara, diferenca mbetet shumë e madhe krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës.
Ekspertët theksojnë se përveç nivelit të pagave, rëndësi të madhe ka edhe fuqia blerëse dhe kostoja e jetesës. Në shtetet me paga të larta, si Zvicra apo Luksemburgu, edhe çmimet për strehim, shërbime dhe ushqime janë shumë më të larta. Megjithatë, dallimet në standardin e jetesës midis Kosovës dhe vendeve të zhvilluara mbeten të mëdha.